Më 18 dhe 19 nëntor, në hotelin “Drim” në Strugë u mbajt trajnim dyditor për nxënësit e shkollave fillore dhe të mesme nga komunat e Dibrës, Qendrës-Zhupë dhe Mavrovës dhe Rostushës në temën “Përdorimi i sigurt dhe mbrojtja e privatësisë në internet”.
Ky trajnim u mbajt në kuadër të projektit Engjujt mbrojtës në internet – siguria e fëmijëve në rrjetet sociale dhe në internet, nga keqpërdorimi i të dhënave personale, i implementuar nga Qendra për zhvillim të qëndrueshëm të bashkësisë në Dibër, në partneritet me Fondacionin Metamorfozis, ndërsa i mbështetur nga projekti i USAID-it për shoqëri qytetare. Qëllimi kryesor i projektit është mbrojtja dhe edukimi i të rinjve nga keqpërdorimi i të dhënave të tyre personale nëpërmjet rrjeteve sociale.
Trajnimin e mbajtën trajnues nga Fondacioni Metamorfozis, ndërsa e ndoqën 25 pjesëmarrës, në mesin e të cilëve kishte nxënës të shkollave fillore, të mesme dhe arsimtarë nga komunat e lartëpërmendura.
Nxënësit kishin mundësi të njihen me termet kryesore që kanë të bëjnë me privatësinë dhe sigurinë në internet, rreziqet në internet, si t’i dallojnë ato dhe si ta mbrojnë privatësinë dhe sigurinë në internet. Nxënësit dhe arsimtarët poashtu u edukuan edhe për privatësinë në rrjetet sociale, si dhe për njohjen e gjuhës së urrejtjes.
Ligjëratat u plotësuan edhe me ushtrime interaktive dhe me prezantim të filmave të shkurtër edukativë, si dhe nëpërmjet lojërave me anë të të cilave u vlerësua ajo që e kishin mësuar nxënësit nga temat e ligjëruara.
Nxënësit ishin të motivuar të diskutojnë dhe në mënyrë të hapur të parashtrojnë pyetje për çështjet që kanë të bëjnë me mbrojtjen e të dhënave personale dhe privatësinë në internet.