“Platforma elektronike e mundëson këtë me që tani me këtë – të gjithë ne mund të regjistrojmë të gjithë anomalitë që janë prezent në ndotjen e mjedisit jetësor. Kjo Platformë do jetë e hapur 24 orë dhe të gjithë qytetarët mund të dërgojnë foto dhe video-filmime ku ka ndotje. Kështu do të rrisim vetëdijen e të gjithë banorëve të Dibrës”, u shpreh Marku
Vjollca SADIKU
Dibër, 23 shkurt – Sektori joqeveritar në Dibër vazhdon me projektet që kanë të bëjnë me mbrojtjen të mjedisit jetësor. Shoqata për Zhvillim të Qëndrueshëm të komunitetit në Dibër promovoi për herë të parë Platformën elektronike “Dibra e pastër”, që realizohet në kuadër të projektit “Së bashku për një Dibër të Pastër”. Në promovimin në të cilin morën pjesë përfaqësues të shoqatave qytetare, bashkësitë lokale dhe pushteti vendor, koordinatori i projektit Shuip Marku theksoi se qëllimi kryesor i këtij projekti është që të kemi një qytet më të pastër me që ndotjet e mjedisit jetësor janë gjithnjë e më të pranishme. “Në një situatë kurë Dibra dhe rrethina e saj ndotet, duhet një aktivitet më i madh për të mbrojtur mjedisin jetësor”, tha Marku, ndërsa shtoi se tani është kohë që të fillohet me aktivitetin për të reaguar në çdo moment për të parandaluar ata që ndotin. “Platforma elektronike e mundëson këtë me që tani me këtë – të gjithë ne mund të regjistrojmë të gjithë anomalitë që janë prezent në ndotjen e mjedisit jetësor. Kjo Platformë do jetë e hapur 24 orë dhe të gjithë qytetarët mund të dërgojnë foto dhe video-filmime ku ka ndotje. Kështu do të rrisim vetëdijen e të gjithë banorëve të Dibrës”, u shpreh Marku.
Vullnetari i Korpusit të paqes nga SHBA, Flynn Polard, i cili është i angazhuar në shoqatat qytetare në Dibër, foli për pasojat e ndotjes nga mbeturinat . Ai veçmas dha të dhëna mënyrat e ndotjes dhe pasojat që ka bota nga ndotjet. “Kjo komunë e bukur siç është Dibra, nuk guxon të ndotet”, u shpreh anëtari i Korpusit Amerikan të paqes.
Në diskutimin u theksua se patjetër duhet të rritet vetëdija e dibranëve për të mbrojtur mjedisin jetësor. Dibra dhe rrethina e saj aktualisht kanë një ndotje të madhe nga mbeturinat që hidhen nga fshatrat në lumin Radikë, e të cilët pastaj përfundojnë në Liqenin e Dibrës. U theksua edhe fakti që në qytet, ka shumë deponi të egra, ndërsa u vendos që pas promovimit të Platformës elektronike, të realizohen edhe disa aksione vullnetare për pastrim në të cilët do të kyçen të gjithë banorët e Dibrës. Këto aksione, siç u informuan të pranishmit, do të kenë një përkrahje të madhe edhe nga pushteti vendor, ndërmarrja komunale lokale “Standardi” dhe nga të gjithë shoqatat dhe shkollat .
Përveç aksioneve ekologjike, u theksua nevoja edhe për vendosjen e kamerave publike nëpër qytet me qëllim që të evidentohen qytetarët, të cilët janë ndotës të mjedisit jetësor duke hedhur mbeturina vend e pavend. Të pranishmit theksuan gjithashtu se patjetër duhet një angazhim më i madh i inspektorëve, të cilët janë të angazhuar në sferën e ekologjisë. Në kuadër të këtij Projekti do të evidentohen edhe të gjithë pikat e zeza ekologjike me qëllim që pikërisht në këto pika të ndërmerren më shumë aktivitete. Përveç në qytet, aktivitete do të ketë edhe në fshatrat, të cilët kërkojnë një grumbullim të mbeturinave, me që në fshatrat ku mbeturinat nuk grumbullohen, të njëjtat përfundojnë në ujërat e liqenit. (koha.mk)